Të licencuarit
3578 - Lajmi_i_plot | KPM

Njoftim nga mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave

17 June 2023

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), më 16 qershor 2023, në  udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Jeton Mehmeti, ka mbajtur mbledhje e dytë të rregullt për këtë vit.

Në fillim të mbledhjes Komisioni ka miratuar propozimin e Kryetarit për ndryshim të agjendës, duke futur në rend dite rastin e pezullimit të certifikatës së biznesit të kompanisë “Klan Kosova” Sh.p.k. dhe duke larguar nga agjenda pikat 4,5,6 dhe 8.

Pas miratimit të  agjendës dhe procesverbalit nga mbledhja e fundit, sipas rendit të ditës Kryetari Mehmeti tha se “KPM është informuar se Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, ia ka pezulluar certifikatën e biznesit të kompanisë “Klan Kosova” Sh.p.k. Duke qenë se “Klan Kosova” është licencuar nga KPM mbi bazën e kësaj certifikate të biznesit dhe duke u bazuar në Rregulloren KPM-2021/01 e cila thotë se subjektet e licencuara për transmetim duhet të jenë të regjistruara ligjërisht në Republikën e Kosovës, vendimi për pezullimin e certifikatës se biznesit të “Klan Kosova” vë në dilemë ligjshmërinë e regjistrimit të këtij biznesi.”

Pas diskutimeve për rastin edhe nga anëtarët tjerë të KPM-së, Komisioni, duke u bazuar në rekomandimin e Zyrës Ekzekutive, mori vendim ku: 1. Obligohet ofruesi i shërbimit medial “Klan Kosova”, që në afat prej 30 ditësh, nga pranimi i këtij vendimi, të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës se transmetimit, konform Rregullores KPM-2021/01 për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele, dhe 2) Dështimi për të vepruar në pajtim me Rregulloren KPM-2021/01 brenda afatit të përcaktuar më lartë, do të rezultojë me masa sanksionuese të përcaktuara në Ligjin për KPM.

Në këtë mbledhje Komisioni ka shqyrtuar gjithashtu edhe buxhetin vjetor të KPM-së për vitin 2024. Pas diskutimeve të anëtarëve, Komisioni ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme miratimin e buxhetit.