Të licencuarit
3584 - Lajmi_i_plot | KPM

Mbahet takim në mes të KPM-së dhe AMA-së

03 July 2023

Kryetari i KPM-së, z. Jeton Mehmeti së bashku me anëtarët e Komisionit kanë vizituar Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) të Shqipërisë, me ftesë të Kryetares znj. Armela Krasniqi.

Duke pas parasysh rëndësinë e autoriteteve rregullatorë të mediave në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe sigurimin e pluralizmit medial, të dy rregullatorët u pajtuan se bashkëpunimi në mes vete është mjaft i rëndësishëm në zbatimin e legjislacionit ligjor aktual, koordinimin frekuencor në mes dy vendeve, shkëmbimin e përvojave sa i përket mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve të cenueshme të shoqërisë, zbatimin e kritereve mbi komunikimet komerciale audiovizuele, si dhe monitorimin e mediave në përgjithësi.

Në këtë takim u vu në pah se bashkëpunimi dhe koordinimi do të jetë edhe më i rëndësishëm bazuar në shtrirjen graduale të rregullimit edhe në sferën online, pas ndryshimeve në Direktivën Evropiane të Shërbimeve Mediale Audiovizuele, ku kompetencat e rregullatorëve pritet në shtrihen edhe në sferën e përmbajtes audiovizuele tek mediat online.

Krerët e Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive u dakorduan që të organizojnë takime të rregullta me qëllim të diskutimit të çështjeve me interes të përbashkët dhe me qëllim të përcaktimit të formave konkrete të bashkëpunimit në mes tyre.