Të licencuarit
3606 - Lajmi_i_plot | KPM

Kryetari i KPM –së mori pjesë në Samitin e 2-të Vjetor të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë

22 September 2023

Kryetari i KPM –së z.Jeton Mehmeti ishte panelist në Samitin e 2-të Vjetor të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë (KPDS), i cili u mbajt më 20-21 shtator në Prishtinë, me organizim të disa organizatave: Sbunker, New Social Initiative (NSI) dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Sipas organizatorëve, kjo konferencë rajonale shërben si një platformë e rëndësishme për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe krijimin e një konsensusi për një të ardhme euroatlantike të rajonit, në kohën kur po rriten sfidat aktuale të Ballkanit Perëndimor që minojnë të ardhmen e tij euro-atlantike.

Në kuadër të Samitit të Paqes dhe Demokracisë, në Panelin V me temën “E vërteta kundër dezinformimit: Luftimi i ndikimit malinj të huaj në Ballkanin Perëndimor” pjesëmarrës ishin:

• Ana Marija Ivkoviq, kryeredaktore, Alternativna

• Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv, Fondacioni Metamorfozis

• Darko Brkan, President, Zašto Ne (Online)

• Jeton Mehmeti, Kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave

• Fitim Gashi - Moderator, Menaxher i Projektit, Sbunker.

Në këtë sesion, Kryetari z.Mehmeti në fjalën e tij paraqiti pikëpamjet lidhur me temën e dezinformimit dhe sfidat aktuale që Kosova përballet në këtë drejtim.

Një ndër çështjet prioritare që kërkon adresim të shpejtë është nevoja e reformimit të kornizës ligjore të rregullimit të mediave në Kosovë pra roli dhe kompetencat aktuale që ka KPM, në mënyrë që kjo të jetë e harmonizuar me kornizën e BE-së, e cila ka ndjekur hapin me zhvillimin teknologjik edhe në fushën e medias.

Çështja tjetër është ngritja e besimit të publikut në institucione, respektivisht në rregullatorin e mediave – KPM-në, në mënyrë që qytetarët përmes interaktivitetit me institucionet, me ankesat ndaj mediave apo forma tjera, të kontribuojnë në luftimin ndaj dezinformimit dhe ndikimit të huaj malinj.

Mënyrë tjetër për luftimin e dezinformimit është Edukimi Medial, për të cilën gjë KPM ka interes të madh ta ngrit nivel tjetër e sidomos kjo të bëhet përmes bashkëpunimit më akter të fushës së medias.

Por përballja me sukses ndaj sfidave të lartcekura, mund të bëhet vetëm pas rritjes së autorizimive të KPM-së me ligjin e ri, i cili është në proces të miratimit.

Pjesëmarrësit në panel diskutuan gjithashtu për lajmet e rreme në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, interesat e ndryshme që shtytin prodhimin dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme pra akterët që u qëndrojnë pas si dhe ndikimin që kanë pasur lajmet e rreme duke filluar nga çështjet e zakonshme sociale e deri tek çështjet e sigurisë në rajon.