Të licencuarit
3609 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM merr vendim për ndalimin e transmetimit të kanaleve të “Arena Sport”

04 October 2023

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), më  3 tetor 2023, në  udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Jeton Mehmeti, ka mbajtur mbledhje e tetë të rregullt për këtë vit.

Në fillim të mbledhjes Komisioni ka miratuar propozimin e Kryetarit për ndryshim të agjendës, duke futur në rend dite rastin e transmetimit të kanaleve të “Arena Sport” që shfaqën mesazhe mbështetëse dhe kërcënuese për sulmin terrorist të 24 shtator 2023 në Banjskë,

Pas miratimit të  agjendës, Kryetari z. Mehmeti tha se Zyra Ekzekutive e Komisionit të Pavarur të Mediave, më 1 tetor 2023, ka iniciuar monitorim ex-officio ndaj operatorëve të shpërndarjes, për shkak të dyshimit se disa operatorë shpërndajnë kanale me përmbajtje kërcënuese. Tashmë kemi prova se kanalet sportive të “Arena Sport” kanë transmetuar përmbajtje të cilat janë në kundërshtim me rregulloren e KPM-së 2020/01. Do të thotë, janë transmetuar video-mesazhe të cilat vijnë nga Serbia dhe të cilat kanë përmbajtje të cilat glorifikojnë sulmin terrorist në veri dhe mbi të gjitha janë mesazhe kërcënuese për qytetarët e Republikës së Kosovës. Prandaj rekomandoj që si Komision të marrim një vendim i cili i obligon operatorët e shpërndarjes që të ndalojnë menjëherë platformat e kanaleve “Arena” dhe kjo masë proporcionale do të vlejë deri në një vendim tjetër të Komisionit.

Pas diskutimeve për rastin edhe nga anëtarët tjerë të KPM-së, Komisioni mori Vendim që të urdhërohen operatorët e shpërndarjes që menjëherë të ndalojnë transmetimin në platformat e tyre kanalet e “Arena Sport”, me qëllim të parandalimit të përmbajtjeve programore të cilat cenojnë interesin nacional dhe sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës. Kjo masë do të vlejë deri në një vendim tjetër të Komisionit.

Në vazhdim të mbledhjes Komisioni ka shqyrtuar vendosjen në diskutim publik të draft rregulloreve të mëposhtme: 

Pas shqyrtimit të drafteve, bazuar në nenin 8 paragrafi 2, të Ligjit për KPM-në Nr. 04/L-44, Komisioni e ka aprovuar vendosjen në diskutim publik të draft rregulloreve në fjalë.

KPM  u bën ftesë publike qytetarëve, përfaqësuesve të shërbimeve mediale audio-vizuale dhe palëve tjera të interesuara, që të dërgojnë komente me shkrim për draft rregulloret e lartpërmendura. Periudha e hapur për komente publike me shkrim është 15 ditë dhe fillon në ditën e publikimit të drafteve.

Sipas agjendës, Komisioni ka shqyrtuar edhe disa raste të kërkesave për ripërtëritjen e licencës së radiove. Pas shqyrtimit Komisioni ka marr vendim për ripërtëritjen e licencës së Radio Astra, Radio Ylberi, Radio Fontana, Radio Elit dhe Radio Vala 2000. Gjithashtu lidhur me çështjen e ripërtëritjen e licencave, Komisioni ka shqyrtuar edhe një Raport përmbledhës për ripërtëritjen e licencave, respektivisht për të licencuarit që nuk ka bërë fare kërkesë për ripërtëritje të licencave.

Pika e fundit e agjendës së mbledhjes ishte diskutimi i raportit lidhur me të drejtat e transmetimit të Premier League. Pas diskutimit, Komisioni vendosi që kjo çështje të vazhdojë tutje dhe të komunikohet me operatorët e shpërndarjes dhe t’u kërkohet që të ofrojnë dëshmi për të drejtat e ritransmetimit të Premier League në territorin e Republikës së Kosovës. Gjithashtu të informohet Premier League për vendimin dhe arsyet e vendimit të sotëm të KPM-së për kanalet sportive të “Arena Sport” dhe të sqarohen mundësitë që kompanitë vendore kosovare të marrin të drejtat e transmetimit të Premier League për territorin e Republikës së Kosovës.