Të licencuarit
3625 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM mbajti dëgjim publik për Draft Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio-vizuele

20 November 2023

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) me 20 nëntor 2023, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, organizoi dëgjim publik për Draft Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio-vizuele. Në fjalën e hapjes, Kryetari i KPM-së z.Jeton Mehmeti tha se ky draft prezanton amandamentimin e Rregullores së KPM-së të vitit 2013. Dëgjimi publik organizohet në pajtim me nenin  8 të Ligjit Nr. 04/L-44 për KPM-në, me qëllim të vënies edhe një herë në dispozicion të  publikut dhe palëve të  interesuara draft Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio-vizuele si dhe me qëllim të promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Pjesëmarrës ishin përfaqësues të mediave të ndryshme të licencuara nga KPM, organizata të mediave si dhe organizata që merrem me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Nga ana e përfaqësueseve të KPM-së u prezantua edhe një herë drafti me propozimet e reja për ndryshime, i cili ka qenë në konsultim publik si dhe komentet publike që KPM ka pranuar gjatë periudhës 30 ditore të konsultimit publik. Drafti i kësaj Rregulloreje është vënë për konsultim publik gjatë muajit tetor, ftesa për komente publike ka qenë e hapur prej 11 tetor 2023 deri me 10 nëntor 2023 dhe gjatë gjithë kësaj kohe palët e interesit e kanë pasur mundësinë për t’i dërguar komentet e tyre në KPM.

KPM i ka shqyrtuar të gjitha komentet dhe ato që kanë qenë të argumentuara në bazë ligjore, i ka vendosur në këtë draft. Tani KPM ka vendosur që edhe një herë të ftojë palët e interesuara në këtë dëgjim, për të dëgjuar komentet e tyre para se ta finalizojë atë dhe ta miratojë rregulloren.

Gjatë tryezës së diskutimit, pjesëmarrësit patën mundësinë që të paraqesin qëndrimet dhe opinionet e tyre lidhur me draft rregulloren në përgjithësi por edhe në pika të caktuara si dhe japin komentet dhe sugjerime e tyre.

Në fund të takimit KPM njoftoi palët e pranishme që në vazhdimin e punës në Draft Rregullore, KPM do t’i marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe propozimet e komentet e bazuara dhe të argumentuara ligjërisht, që janë paraqitur edhe gjatë dëgjimit publik.

KPM gjatë punës së amandametimit të kësaj rregullore, është mbështetur vazhdimisht edhe nga Terre des hommes Kosova, ashtu sikurse edhe në organizmin e këtij dëgjimi publik.