04 December 2023
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) me 4 dhjetor 2023, organizoi dëgjim publik për dy draft rregullore: Draft Rregulloren për komunikimet komerciale audio dhe audiovizuele dhe Draft Rregulloren për pronësinë dhe koncentrimin e të licencuarve të KPM-së. Në këtë event pjesëmarrës ishin përfaqësues të mediave të ndryshme të licencuara nga KPM, organizata të mediave si dhe organizata të shoqërisë civile.
Në fjalën e hapjes së këtij dëgjimi publik, Kryetari i KPM-së z.Jeton Mehmeti tha se avancimi i kornizës së akteve nënligjore ka për synim mbrojtjen e interesit publik që përmbajtjet audiovizuele të jenë në pajtim me ligjin dhe korrekte. Në këtë drejtim edhe këto dy draft rregullore që po diskutohen sot janë në vazhdën e punës intensive që KPM ka bërë këtë vit, duke punuar në përfundimin e katër rregulloreve. Draft rregullorja për komunikimet komerciale audiovizuele, prezanton amandamentimin e Rregullores së KPM-së të vitit 2017, ndërsa Draft rregullorja për pronësinë dhe koncentrimin e të licencuarve të KPM-së, është akt nënligjor i ri dhe ka për qëllim vendosjen e standardeve lidhur me pluralizmin dhe diversitetin mediatik dhe transparencën në pronësisë së mediave, zhvillimin dhe promovimin e lirisë së shprehjes. Gjithashtu kjo rregullore synon ruajtjen e pavarësisë editoriale dhe të drejtën e informimit objektiv, duke përcaktuar rregullat për koncentrimin e pronësisë në media, parandalimin e monopolit në tregun medial, ndalimin e dominimit dhe presionit mbi mediumet, në harmoni me legjislacionin vendor si dhe praktikat më të mira evropiane.
Përfaqësuesit e KPM-së prezantuan edhe një herë draftet me propozimet e reja për ndryshime si dhe komentet publike që KPM ka pranuar gjatë periudhës 30 ditore të konsultimit publik. Draft rregulloret kanë qenë në konsultim publik gjatë muajit tetor, ftesa për komente publike ka qenë e hapur prej 11 tetor 2023 deri me 10 nëntor 2023 dhe gjatë gjithë kësaj kohe palët e interesit e kanë pasur mundësinë t’i paraqesin me shkrim komentet e tyre.
Pas përfundimit të periudhës së konsultimit publik 30 ditor, KPM i ka shqyrtuar të gjitha komentet dhe ato që kanë qenë të argumentuara në bazë ligjore, i ka vendosur në drafte dhe tani janë ftuar të licencuarit në këtë dëgjim publik që edhe një herë të ofrojnë komentet e tyre para se të miratohen rregulloret, që sipas planifikimit të KPM-së është fundi i këtij viti.
Gjatë diskutimit pjesëmarrësit patën mundësinë që të paraqesin qëndrimet dhe opinionet e tyre lidhur me draft rregulloret si dhe të japin komentet dhe sugjerime e tyre në pika të caktuara.
Në fund të takimit KPM njoftoi palët e pranishme që në vazhdimin e punës në draftet e rregulloreve, KPM do t’i marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe propozimet e komentet e bazuara dhe të argumentuara ligjërisht, që janë paraqitur edhe gjatë dëgjimit publik.