14 December 2023
Kryetari i KPM –së z.Jeton Mehmeti ishte sot panelist në prezantimin e lansimin të uebfaqes së Monitorimit të Pronësisë së Mediave në Kosovë. Sipas organizatorit, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese-BIRN, qëllimi kryesor i kësaj platforme është të kontribuojë në edukim më të mirë mediatik, ku çdo qytetar ka të drejtë të jetë i informuar lidhur me pronësinë e mediave në mënyrë që të merr vendim për sa i përket konsumit të lajmeve.
Në panelin “Sfidat lidhur me transparencën e sektorit të mediave në Kosovë”, Kryetari i KPM-së z. Jeton Mehmeti në fjalën e tij paraqiti pikëpamjet lidhur me temën e pronësisë së mediave dhe sfidat aktuale që ambienti medial përballet në këtë drejtim. Kryetari Mehmeti tha se çështja e pronësisë së mediave audivizuele sipas rregullimit aktual kërkon që çdo ndryshim i rëndësishëm i pronësisë, të ketë aprovim paraprak nga KPM. Por rregullimi aktual do të ndryshojë shumë shpejtë, deri në fund të këtij viti, sepse është një afat i përcaktuar edhe në Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2023 dhe KPM do të miratojë një Rregullore për pronësinë dhe koncentrimin e të licencuarve të KPM-së. Rregullimi i ri sipas rregullores se pronësisë, është i dizajnuar duke u bazuar në legjislacionin e Bashkimit Evropian, respektivisht Direktivën AVMS dhe do të ndihmojë shumë në rritjen e transparencës së pronësisë dhe parandalimin e koncentrimit medial në Kosovë. Me këtë rast Kryetari z.Mehmeti apeloi tek të gjitha mediat e licencuara që të mos ndërrojnë pronësinë në ARBK pa miratim të KPM-së, siç e kërkojnë rregullat e KPM-së, sepse do të përballen me pasojat ligjore, siç edhe ka ndodhur tanimë për disa nga mediat që kanë vepruar në atë formë.
Gjithashtu në drejtim të ndalimit të ndërrimit të pronësisë pa miratim paraprak, ai tha se KPM është në proces të arritjes së një marrëveshje me ARBK-në, në mënyre që ndryshime të tilla të pronësisë mos të ndodhin siç kanë ndodhur.
Ndërsa në drejtim të rritjes së transparencës sa i përket pronësisë se mediave, KPM ka punuar gjatë këtij viti në krijimin e një platforme digjitale të regjistrave të pronësisë së mediave, pra të dhënat aktuale në regjistrat publik të mediave që KPM i ka të publikuara, do të jenë të digjitalizuara, rifreskuara dhe me përmbajtjesore për publikun.
Në kuadër të këtij paneli me temën “Sfidat lidhur me transparencën e sektorit të mediave në Kosovë” pjesëmarrës ishin: Jeton Mehmeti, KPM; Ardita Zejnullahu, AMPEK; Alban Zeneli, Universiteti i Prishtinës; Aferdita Saraçini - Kelmendi, RTV 21; Kreshnik Gashi, BIRN.