20 December 2023
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), me 20 dhjetor 2023, ka pritur një grup gazetarësh të rinj dhe studentë të gazetarisë nga Shkolla e Etikës së Gazetarisë, në kuadër të një vizite studimore të organizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).
Në fjalën hyrëse, Kryetari i KPM-së z. Jeton Mehmeti ka prezantuar një përmbledhje e shkurtër rreth KPM-së si rregullator i mediave dhe aktiviteteve kryesore gjatë këtij viti. Ndërsa në vijim janë prezantuar dhe sqaruar në detaje organizmi, funksionimi dhe roli i KPM-së si rregullator i vetëm dhe i pavarur për mediat audio vizuale në Republikën e Kosovës, procesi i monitorimit të mediave, sfidat aktuale të rregullatorit në trendin e zhvillimeve të hovshme teknologjike në fushën e mediave dhe përshtatjen e kuadri ligjor me këto zhvillime. Gjithashtu kuadri ligjor, procedurat e punës dhe afatet si dhe ankesat ndaj mediave dhe trajtimi i tyre nga KPM-ja ishin tema që u prezantuan.
Pas pjesës së prezantimeve, takimi ka vazhduar me sesionin e pyetje përgjigjeve ku zyrtarët e KPM-së iu përgjigjën pyetjeve të ndryshme që kishin studentët, për çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e të licencuarve, monitorimin nga ana e KPM-së të Shërbimeve Mediale Audiovizuale në zbatimin e ligjit dhe rregulloreve të KPM-së. Interes të veçantë nga ana e studentëve kishte për procedurat e licencimit në KPM, respektimin e Kodit të Etikës nga ana e mediave, rastet më të shpeshta të ankesave që palët dhe publiku i drejtojnë KPM-së, pastaj çështja e mbrojtjes së fëmijëve në media, rregullimi i komunikimeve komerciale, skemat programore aktuale që po transmetohen, bartja e obligueshme e kanaleve, emisionet e drejtpërdrejta dhe përfaqësimi gjinor në media.
Ky takim ishte si vazhdimësi e takimeve tjera dhe bashkëpunimit të KPM-së me KMShK-së, me qëllim të promovimit të standardeve etike të gazetarisë, rritjes së cilësisë së raportimit në media dhe mbrojtjes së interesit të publikut. KPM mbetet institucion i cili është çdo herë i gatshëm që të ofrojë mundësi për bashkëpunim dhe takime të tilla e posaçërisht me gazetarë të rinj, në lidhje çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e mediave në vend.