Të licencuarit
3656 - Lajmi_i_plot | KPM

Njoftim nga mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave

19 January 2024

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 19 janar 2024, në udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z. Jeton Mehmeti, ka mbajtur mbledhje e parë të rregullt për këtë vit. Në këtë mbledhje Komisioni ka trajtuar dy pika të rendit të ditës: Trajtimi ankesave të përdoruesve në lidhje me largimin e kanaleve të DigitAlb nga operatoret e shpërndarjes; dhe Diskutimin në lidhje me inicimin e procedurës së ndryshim-plotësimit të Rregullores KPM-2020/01.

Kryetari z.Mehmeti tha se sa i përket pikës së parë, KPM ka pranuar një numër të madh të ankesave që nga data 1 janar 2024 ndaj operatorëve të shpërndarjes Artmotion, Kujtesa, Ipko dhe Telkos, me pretendimin se kanë hequr nga transmetimi kanale pa paralajmërim paraprak.

Palët ankuese në ankesat e tyre kanë shprehur shqetësimin për kontratat me operatorët e shpërndarjes dhe problemet lidhur me mos zbatimin e këtyre kontratave, duke pretenduar se gjatë marrëveshjeve në mes të klientëve dhe operatorëve, klientët nuk janë informuar me kohë se kanalet e Digitalb do të ndërpriten me 1 janar 2024. Palët ankuese janë ankuar edhe për ndërprerjen e kanaleve të sportit. Palët ankuese po ashtu kanë ofruar edhe foto të reklamave që kanë bërë operatorët e shpërndarjes, duke mos hequr logot e Digitalb në ueb dhe rrjete sociale, gjë e cila sipas palëve ankuese u është bërë mashtrim nga ana e operatorëve të shpërndarjes.

KPM ka shqyrtuar ankesat dhe ka gjetur se operatorët e shpërndarjes nuk ia kanë bashkëngjitur çdo përdoruesi listën e kanaleve si pjesë e kontratës të lidhur me përdoruesit, ashtu siç kërkohet me Rregulloren KPM-2020/01. Gjithashtu, bazuar në të gjeturat e monitorimit rezulton se operatorët e shpërndarjes të lartcekur, nuk e kanë njoftuar KPM-në për ndryshimin e listës së kanaleve, ashtu siç përcaktohet me Rregulloren KPM-2020/01, duke dështuar kështu të ndërmarrin veprimet e duhura në lidhje me mbrojtjen e përdoruesve, duke mos informuar përdoruesit me shkrim së paku tridhjetë (30) ditë para ndryshimeve të kushteve të shërbimeve ashtu siç obligon Rregullorja KPM-2020/01.

Pas shqyrtimit të të gjitha ankesave, Komisioni gjeti se operatorët e shpërndarjes: Artmotion, Kujtesa, Ipko dhe Telkos, kanë kryer shkelje të nenit 15, paragrafi 2 dhe 5 dhe nenit 4, paragrafi 3, të Rregullores KPM-2020/01. Për këto shkelje të konstatuara, Komisioni vendosi si masë sanksionuese të shqiptojë gjobën në total prej 100 mijë euro, e cila është gjoba më e lartë e paraparë me Ligjin e KPM-së, si në vijim:

· Operatori i shpërndarjes Artmotion sanksionohet me gjobë prej 64 mijë euro;

· Operatori i shpërndarjes Kujtesa sanksionohet me gjobë prej 26 mijë euro;

· Operatori i shpërndarjes Ipko sanksionohet me gjobë prej 7 mijë euro;

· Operatori i shpërndarjes Telkos sanksionohet me gjobë prej 3 mijë euro.

Këto masa sanksionuese kanë për qëllim sanksionimin e operatorëve për shkeljen e Rregullores KPM-2020/01, pra dënimin administrativ të operatoreve dhe jo kompensimin e palëve ankuese dhe nuk paragjykon shkeljet tjera eventuale të legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit të cilat duhet adresuar përmes institucioneve kompetente.

Komisioni ka shqyrtuar pikën e dytë të rendit të ditës: Diskutimin në lidhje me inicimin e procedurës së ndryshim-plotësimit të Rregullores KPM-2020/01.

Kryetari z. Mehmeti tha se amandamentimi i kornizës së akteve nënligjore është proces i planifikuar paraprakisht nga KPM për tu realizuar vitin 2024, por duke u bazuar në zhvillimet aktuale me çështjen e gjithë atyre ankesave që i kemi trajtuar dhe sapo u vendos për to, rezulton se është shumë e nevojshme të menjëherë të fillohet puna për ndryshimin e kornizës e akteve nënligjore, respektivisht Rregullores KPM-2020/01, në mënyrë që të mund të rregullohet më mirë çështja e mbrojtës së konsumatorit.

Komisioni u pajtua për inicimin e procedurës së ndryshim-plotësimit të Rregullores KPM-2020/01 për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audiovizuele.