Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ka pritur sot në vizitë Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë z.Tunç Angılı. Ambasadorin e priti Kryetari i KPM-së z.Jeton Mehmeti, Nënkryetari z.Fatih Basha, anëtari z.Besnik Berisha dhe Zv.Kryeshefi Ekzekutiv z.Faruk Rexhaj.
Në fjalën e tij prezantuese, Kryetari z.Mehmeti fillimisht i uroi mirëseardhje Ambasadorit z.Angılı, dhe më pas e njoftoi rreth mandatit, organizimit dhe punës së KPM-së. Kryetari theksoi edhe përkushtimin e KPM-së për të promovuar pluralizmit medial në vend, duke siguruar të drejtën për informim në gjuhën e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Ambasadori z.Angılı në fjalën e tij shprehu falënderimin për pritjen dhe shtoi se vlerëson bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet KPM-së dhe rregullatorit të mediave të Turqisë, Këshillit Suprem të Radios dhe Televizionit (RTÜK), duke konfirmuar njëkohësisht gatishmërinë që ky bashkëpunim të vazhdojë të avancohet edhe më tutje. Duke vlerësuar rëndësinë e rregullatorit të mediave, Ambasadori shprehu përkushtimin e tij për përkrahje të vazhdueshme për KPM-në, në zbatimin e standardeve më të larta në fushën e rregullimit të shërbimeve mediale audio-vizuele.