Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), me 26 janar 2024, ka pritur një grup studentësh të drejtësisë nga Fakultetit Juridik, në kuadër të një vizite studimore të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Në fjalën hyrëse, Kryetari i KPM-së z. Jeton Mehmeti ka prezantuar një përmbledhje e shkurtër rreth KPM-së si rregullator i mediave, organizmit, mandatit dhe kompetencave ligjore. Në vijim Kryetari z.Mehmeti ka prezantuar në detaje funksionimin dhe rolin e KPM-së, procedurat e punës, procedurat e licencimit të mediave dhe operatorëve e shpërndarjes, monitorimin e të licencuarve lidhur me zbatimin e obligimeve ligjore nga legjislacioni i KPM-së, si dhe masa ligjore që ndërmerr KPM në ato raste kur rezulton se të licencuarit janë gjetur në shkelje të legjislacionit.
Pas pjesës së prezantimeve, takimi ka vazhduar me sesionin e pyetje përgjigjeve ku zyrtarët e KPM-së iu përgjigjën pyetjeve të ndryshme që kishin studentët, për çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e të licencuarve, procedurat dhe kriteret e licencimit të mediave, monitorimin e përmbajtjeve programore nga ana e KPM-së në zbatimin e ligjit dhe rregulloreve të KPM-së. Gjithashtu pati interesim të veçantë nga ana e studentëve për procesin e licencimit në KPM, procesin e vendimmarrjes në rastet ligjore, respektimi nga ana e mediave i Kodit të Etikës, procedura e inicimit dhe trajtimi i ankesave. Pastaj u diskutua edhe inicimi i rasteve ex officio sipas gjetjeve nga monitorim i mediave, llojet më të shpeshta të ankesave që palët dhe publiku i drejtojnë KPM-së, skemat programore aktuale që po transmetohen, me fokus përmbajtjet “reality show” si dhe emisionet tjera të drejtpërdrejta në formatin e debateve televizive.
Kjo vizitë ishte si vazhdimësi e takimeve tjera dhe bashkëpunimit të KPM-së me institucionet, organizatat dhe studentët, në funksion të promovimit të standardeve etike të gazetarisë, rritjes së cilësisë së raportimit në media, mbrojtjes së interesit të publikut dhe edukimit medial.