Të licencuarit
3683 - Lajmi_i_plot | KPM

Studentët e Departamentit të Gazetarisë e vizituan KPM-në

15 April 2024

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), me 15 prill 2024, ka pritur një grup studentësh të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Në fjalën hyrëse, Kryetari i KPM-së z. Jeton Mehmeti tha se është i lumtur për bashkëpunimin KPM-Departamenti i Gazetarisë dhe shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen institucionale në përkrahje të iniciativave të tilla që vijnë nga jashtë, e sidomos nga studentët e gazetarisë.
Në vijim grupi i studentëve ka prezantuar një vizion të tyre në kuadër të projektit “Media2040”. Në prezantimin e tyre studentët kanë treguar për sfidat e gazetarëve dhe faktorët mundësues që mund të ndihmojnë në krijimin e një të ardhmeje potenciale sipas këtij projekti, parashihet që deri në vitin 2040 gazetarët do të jenë më të pavarur, të sigurt dhe të mbrojtur nga çdo ndikim negativ si dhe do të përdorin teknologjinë në mënyrë etike, duke krijuar kështu një publik të mirinformuar.
Gjithashtu u prezantuan edhe sfidat me të cilat përballen gazetarët si dhe faktorët që ndihmojnë në kapërcimin e këtyre sfidave për realizimin e vizionit të mediave të pavarura dhe etike në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2040.
Kryetari i KPM-së z.Mehmeti i përgëzoi studentet për punën e bërë, duke thënë se KPM do të jetë përkrahëse e këtij vizioni, për të krijuar një mjedis në të cilën gazetarët punojnë lirisht.
Pjesë e projektit “Media2040” janë mbi 50 profesorë dhe studentë nga fushat e gazetarisë dhe komunikimit nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Sarajevës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Universiteti i Novi Sadit, Universiteti i Malit të Zi dhe Universiteti “St. Cyril and Methodius” nga Shkupi.
Kjo vizitë ishte si vazhdimësi e takimeve tjera dhe bashkëpunimit të KPM-së me institucione, organizata dhe studentë, në funksion të promovimit të standardeve etike të gazetarisë, rritjes së cilësisë së raportimit në media, mbrojtjes së interesit të publikut dhe edukimit medial.