Të licencuarit
3691 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM priti në takim një grup të gazetarëve kosovar

23 May 2024

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), më 13 maj 2024 ka pritur në takim pune një grup gazetarësh të rinj, pjesë e një vizite studimore të organizuar nga OSBE-ja. Gazetarët patën mundësinë të njihen më nga afër me rolin dhe funksionimin e KPM-së, si dhe me sfidat dhe përgjegjësitë që mbart ky institucion në mjedisin medial të Kosovës.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e KPM-së shpjeguan rëndësinë e pavarësisë institucionale të rregullatorit dhe mënyrën se si kjo ndikon në mbrojtjen e lirisë së medias. U theksua se një media e lirë dhe e pavarur, është një nga shtyllat kryesore të një shoqërie demokratike dhe se edhe KPM-ja luan një rol kyç në sigurimin e një mjedisi të tillë. Përveç kësaj, gazetarët u informuan për procedurat e licencimit të mediave, mbikëqyrjen e përmbajtjes dhe zbatimin e legjislacionit për mediat, duke përfshirë monitorimin e zbatueshëmrisë së legjislacionit nga ana e të licencuarve si dhe veprimet e ndërmarra nga KPM-ja në raste kur janë identifikuar shkelje nga ana e mediave.

U diskutua edhe për ndryshimet e reja ligjore që pritet të përcaktohen me ligjin e ri për KPM-në, e ku do të zgjerohen kompetencat e KPM-së duke përfshirë edhe rregullimin e formave të reja të transmetimit të përmbajtjeve mediale.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte edukimi medial dhe mënyra se si mund të përmirësohet cilësia e raportimit në media. Përfaqësuesit e KPM-së nënvizuan nevojën për takime dhe trajnime të vazhdueshme dhe për një qasje sa më profesionale të gazetarëve ndaj burimeve të informacionit. Gjithashtu u diskutua mbi rëndësinë e mbrojtjes së të gazetarëve dhe përpjekjet për të siguruar që ata të punojnë në kushte të sigurta dhe të drejta.

Gazetarët shprehën interes të madh për punën e KPM-së, procedurat dhe afatet e trajtimit të ankesave, procesin e vendimmarrjes dhe për sfidat me të cilat përballet institucioni. Ata u interesuan për mekanizmat e mbikëqyrjes dhe për transparencën në veprimtarinë e KPM-së. Përfaqësuesit e KPM-së ofruan shembuj konkretë të rasteve të trajtuara dhe të masave të marra për të siguruar respektimin e standardeve profesionale në media. Gjatë këtij takimi u trajtuan tema kyçe si mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet mediale, raportimi i përgjegjshëm dhe etik, si dhe çështjet e privatësisë dhe mbrojtjes së identitetit të fëmijëve, dhe raportimi i mediave në mënyrën e duhur për rastet e dhunës në familje

Një nga pikat kulmore të takimit ishte diskutimi mbi rolin e teknologjisë në zhvillimin e mediave dhe sfidat që sjell transformimi digjital. Përfaqësuesit e KPM-së shpjeguan se teknologjia ofron mundësi të reja për informim dhe për komunikim, por njëkohësisht krijon edhe sfida përsa i përket verifikimit të informacionit dhe luftës kundër lajmeve të rreme. Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të gazetarëve dhe mediave me rregullatorin, për të adresuar këto sfida.

Në fund të takimit, përfaqësuesit e KPM-së potencuan se KPM si institucion është i gatshëm që çdo herë të ofrojë mundësi për takime të tilla e posaçërisht me gazetarë të rinj, në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e mediave në vend. Gjithashtu edhe gazetarët theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit, për të avancuar cilësinë dhe integritetin e medias në Kosovë dhe se takime të tilla shërbjnë si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe për nxitjen e një angazhimi më të madh për të promovuar lirinë e shprehjes dhe standardet e larta etike në gazetari.