Të licencuarit
3700 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me RTUK

12 June 2024

Sot Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), z. Jeton Mehmeti ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Këshillit Suprem të Radio dhe Televizioneve të Turqisë (RTUK) z. Ebubekir Sahin. Marrëveshja parasheh rritjen e bashkëpunimit në mes të dy rregullatorëve përmes shkëmbimit të personelit me qëllim të ndarjes së përvojave dhe njohurive gjatë qëndrimit në rregullatorin përkatës.

Kryetari Mehmeti e ka uruar Kryetarin Sahin edhe me rastin e përvjetorit të 30 të themelimit të RTUK, duke e njohur po ashtu edhe me sistemin medial të Kosovës i cili karakterizohet me një pluralizëm të mediave për nga gjuha, pikëpamjet dhe shtrirja. Në takim, Kryetari i RTUK shprehu kënaqësinë e pritjes së delegacionit të Kosovës, duke nënvizuar elementet e përbashkëta mes dy autoriteteve rregullative.

Delegacioni i KPM-së, i përbërë nga Nënkryetari z. Fatih Basha, anëtarët Besnik Berisha dhe Fitim Veliu, si dhe u.d.i Kryeshefit Ekzekutiv z. Faruk Rexhaj, po vazhdojnë vizitën studimore në Ankara duke ndarë përvojat me stafin dhe ekspertët e RTUK në fushën e mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme mediale përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale, në fushën e matjes së audiencë dhe analizave si dhe në rolin e platformave vendore për videot me kërkesë (VoD).

Delegacioni i KPM-së nesër do ta vizitojë edhe transmetuesin publik të Turqisë - TRT.