Të licencuarit
3706 - Lajmi_i_plot | KPM

Njoftim nga mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave

16 July 2024

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 15 korrik 2024, në udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z. Jeton Mehmeti, ka mbajtur mbledhjen e shtatë të rregullt për këtë vit. Në këtë mbledhje Komisioni ka trajtuar disa pika të rendit të ditës si: shqyrtimin e Raporti tremujor të punës, Raportet e kryesuesve të katër nënkomisioneve, Raportin për objektivat 2024, Raportin për Thjeshtësimin dhe Harmonizimin e Lejeve dhe Licencave në KPM dhe dy kërkesa të licencimit.

Pas miratimit të rendit të ditës dhe raportimit të Kryeshefit Ekzekutiv, Komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar raportin tremujor të punës së KPM-së për periudhën prill – qershor 2024. Ky raport përfshin të dhëna të detajuara mbi aktivitetet dhe arritjet e KPM-së gjatë kësaj periudhe tremujore.

Në vazhdim të mbledhjes kanë raportuar edhe kryesuesit e nënkomisioneve,  për të gjitha aktivitet e tyre që nga fillimi i punës.

Kryesuesi i Nënkomisionit për rishikimin dhe koordinimin e planit të frekuencave me vendet e rajonit prezantoi raportin e punës me progresin e bërë dhe sfidat e hasura në punën e koordinimit të planit të frekuencave.

Kryesuesja e Nënkomisionit për vlerësimin e borxheve të licencuarve të KPM-së dhe rishikimin e mekanizmave për ngritjen e efikasitetit për inkasimin e borxheve, prezantoi një përmbledhje të hollësishme të gjendjes aktuale të borxheve të licencuarve të KPM-së si dhe rekomandimet konkrete për përmirësimin e situatës.

Kryesuesi i Nënkomisionit për rishikimin dhe standardizimin e procedurave lidhur me ndryshimin e pronësisë së licencuarve të KPM-së gjithashtu paraqiti një raport për punën e këtij nënkomisioni. Ky raport përfshin rekomandime për përmirësimin e procedurave ekzistuese dhe sigurimin e zbatimit të obligimeve ligjore për të licencuarit sa i përket ndryshimit të pronësisë.

Kryesuesi i Nënkomisioni për analizimin e obligimeve ligjore të KPM-së që rrjedhin nga Ligji për të Drejtat e Autorit dhe aktet nënligjore të KPM-së gjithashtu raportoi mbi zbatimin e këtyre detyrimeve dhe sfidat ligjore që kanë dalë gjatë punës, duke përfshirë këtu angazhimin e KPM-së në procesin e fasilitimit të arritjes së marrëveshjes mes Shoqatës për të drejtat e autorit VAPIK dhe operatorëve të shpërndarjes. 

Komisioni ka diskutuar gjithashtu edhe Raportin për objektivat e arritura në gjashtë mujorin e parë të vitit 2024 si dhe një raport të Departamentit të Licencimit, lidhur me  thjeshtësimin dhe harmonizimin e lejeve dhe licencave në KPM. Ndërsa ka shtyrë për mbledhjen e radhës pikën e diskutimit për shpenzimet buxhetore në gjashtë mujorin e parë, planifikimet buxhetore 2025 dhe kërkesat për rritje të punonjësve të KPM-së.

Sipas agjendës, Komisioni ka shqyrtuar dy raste të natyrës së licencimit: një kërkesë për licencë për OSHMA NTV me transmetim përmes operatorëve të shpërndarjes, ku u njoftua se aplilkanti NTV është tërhequr nga kërkesa për licencë, ndërsa kërkesa për ndryshim të kategorisë së licencës nga Radio Star, është shtyrë për vendimmarrje në një mbledhje tjetër pasi se KPM ka pranuar një ankesë nga një radio tjetër për interferimet që po i shkaktohen nga Radio Star për çfarë Komisioni ka kërkuar që të bëhen matje në terren. .  Komisioni  ka shtyrë për shqyrtim në mbledhjen e radhës edhe tri raste ligjore që ishin në agjendë: Paper Radio, TV Dukagjini dhe TE 7.