Të licencuarit
3711 - Lajmi_i_plot | KPM

Njoftim nga mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave

29 August 2024

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 28 gusht 2024, në udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Jeton Mehmeti, ka mbajtur mbledhjen e tetë të rregullt për këtë vit. Në këtë mbledhje Komisioni ka trajtuar disa pika të rendit të ditës si: shqyrtimi i dy draft-rregulloreve për konsultim publik, shtatë raste ligjore, tri raste të licencimit, shqyrtimi i anulimit të procedurës së rekrutimit për Kryeshef Ekzekutiv në KPM, raportet e nënkomisioneve të përkohshme dhe Raportin buxhetor të gjashtëmujorit të parë 2024.
Pas miratimit të rendit të ditës, procesverbalit të mbledhjes së fundit dhe raportimit të Kryeshefit Ekzekutiv, Komisioni ka shqyrtuar Draft-rregulloren për mbrojtjen e përdoruesve në fushën e ofrimit të shërbimeve audio dhe audiovizuele dhe Draft-rregullore për procedurën e trajtimit të ankesave në KPM. Pas shqyrtimit të drafteve, bazuar në nenin 8 paragrafi 2, të Ligjit për KPM-në Nr. 04/L-44, Komisioni e ka aprovuar vendosjen në diskutim publik të draft rregulloreve në fjalë. Periudha e hapur për komente publike me shkrim është 15 ditë dhe fillon në ditën e publikimit të drafteve, të cilat do të publikohen së shpejti.
Lidhur me rastet ligjore Komisioni ka shqyrtuar disa raste për shkelje të Kodit të Etikës dhe Rregullores për pronësinë dhe koncentrimin e të licencuarve të KPM-së. Për shkelje të legjislacionit të KPM-së, përkatësisht ndryshim të pronësisë pa miratim paraprak të KPM-së, Komisioni ka sanksionuar të licencuarit në vijim:
• Paper Radio – ndryshim të pronësisë pa miratim paraprak të KPM-së – sanksionohet me gjobë në shumë prej njëmijë (1.000) euro;
• Paper TV – ndryshim të pronësisë pa miratim paraprak të KPM-së – sanksionohet me gjobë në shumë prej dymijë (2.000) euro dhe;
• Rahovec Channel – ndryshim të pronësisë pa miratim paraprak të KPM-së – sanksionohet me gjobë në shumë prej dymijë (2.000) euro.
Ndërsa në dy rastet ligjore për shkelje të Kodit të Etikës, Komisioni nuk ka gjetur shkelje prandaj vendosi të hedhë poshtë si të pabazuara ankesat e z. Naser Hafizi ndaj TV Dukagjini dhe TE7. Dy raste tjera ligjore, RTK1 dhe TV Most u shtynë për vendimmarrje në mbledhjen e radhës, për tu plotësuar me dokumentacion shtesë.
Lidhur me rastet e licencimit, Komisioni ka miratuar kërkesën për ndryshim të pronësisë dhe ripërtëritje të licencës për RTV Mir dhe kërkesën për ndërprerje të licencës së D.SH. Speed TV, ndërsa kërkesa e Radio Victoria është shtyrë për vendimmarrje në mbledhjen e radhës, për tu plotësuar me dokumentacion shtesë.
Komisioni gjithashtu ka vendosur për Anulimin e procedurës së rekrutimit për pozitën Kryeshef Ekzekutiv, për shkak të dorëheqjes së tre anëtarëve të Komisionit Vlerësues, rrjedhimisht pamundësisë së vazhdimit të kësaj procedure.
Sipas agjendës Komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar Raportet përfundimtare të nënkomisioneve të përkohshme, me çka edhe është përmbyllur suksesshëm mandati i këtyre nënkomisioneve.
Në pikën e fundit të rendit të ditës, Komisioni ka shqyrtuar Raportin për shpenzimet buxhetore në gjashtë mujorin e parë janar – qershor 2024 si dhe planifikimet buxhetore për vitin 2025.