Të licencuarit
3714 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me ARBK

06 September 2024

Sot Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave Z. Jeton Mehmeti dhe Drejtoresha e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve Znj. Lebibe Haliti kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që ka për qëllim rritjen e transparencës në pronësinë e mediave.
Sipas kësaj marrëveshjeje, ARBK do të kërkojë nga shoqëritë tregtare të cilat kanë licencë nga KPM që me rastin e ndryshimit të pronësinë të ofrojnë dëshmi të miratimit paraprak të ndryshimit të pronësisë të miratuar nga KPM.

Sipas Rregullores për Pronësinë dhe Koncentrimin e të Licencuarve të KPM-së (KPM-2023/03), të licencuarit obligohen që paraprakisht për çfarëdo ndryshimi të pronësisë ose aksioneve duhet të marrin aprovim paraprak me shkrim nga KPM-ja.
Gjatë vitit 2023, mirëpo edhe në vitin 2024, KPM është përballur me çështjen e ndryshimeve në pronësi të të licencuarve të KPM-së pa miratim paraprak me shkrim nga KPM, ashtu siç kërkohet me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së. KPM ka identifikuar 35 raste ku të licencuarit kanë bërë ndryshime të pronësisë duke ndryshuar të dhënat në regjistrin e biznesit në ARBK pa miratim të KPM-së.

Lidhur me këtë situatë, KPM ka trajtuar të gjitha rastet e identifikuara të ndryshimeve në pronësi si shkelje të kushteve të licencës duke shqiptuara masa sanksionuese në total prej 58,000 eurove, dhe duke i obliguar që brenda një kohe të shkurt kohore të dorëzojnë gjithë dokumentacionin e nevojshëm për këto ndryshime.
Andaj, marrëveshja e bashkëpunimit me ARBK-në synon ta rregullojë çështjen e pronësisë së të licencuarve, duke siguruar transparencë të plotë të pronësisë së mediave dhe të shmangë edhe nevojën për shqiptimit të sanksioneve në të ardhmen.