24 September 2024
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 24 shtator 2024, në udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Jeton Mehmeti ka mbajtur mbledhjen e nëntë të rregullt për këtë vit. Në këtë mbledhje Komisioni ka trajtuar disa pika të rendit të ditës si: Planveprimi për Zgjedhjet e Përgjithshme 2025, themelimi i grupit punues për hartimin e Rregullores për sjelljen e Mediave gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore, shqyrtimin e shtatë rasteve ligjore, gjashtë raste të licencimit dhe tri propozime shtesë që janë shtuar në agjendë në pikën të ndryshme: inicimi i procedurës së amandamentimit të Rregullores KPM-2017/03 për tarifën vjetore për licencë, trajtimin e një kërkesë për ndryshim të kategorisë së mbulueshmërisë së radios dhe ndërrimin e Ushtruesit të Detyrës/Zëvendësuesit së Kryeshefit Ekzekutiv.
Pas miratimit të rendit të ditës, procesverbalit të mbledhjes së fundit dhe raportimit të Kryeshefit Ekzekutiv, Komisioni ka shqyrtuar Planveprimin për Zgjedhjet e Përgjithshme 2025, i cili është një dokument përmbledhës i gjitha aktiviteteve të planifikuara nga KPM në funksion të monitorimit të mediave gjatë fushatës dhe procesit të zgjedhjeve të përgjithshme 2025, bazuar në obligimet ligjore të KPM-së që Ligji i ri për zgjedhjet i ka përcaktuar. Gjithashtu në kuadër të zbatimit të këtyre obligimeve ligjore, Komisioni ka miratuar propozimin për themelimin e një grupi punues për hartimin e Rregullores për sjelljen e Mediave gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore.
Lidhur me rastet ligjore Komisioni ka shqyrtuar disa raste për shkelje të Kodit të Etikës dhe Rregullores KPM-2023/03 për pronësinë dhe koncentrimin e të licencuarve të KPM-së dhe Rregullores 2020/01 për Ofruesit e Shpërndarjes. Për shkelje të legjislacionit të KPM-së, Komisioni ka sanksionuar të licencuarit në vijim:
• Radio Televizioni i Kosovës (RTK) – ankesë për shkelje të Kodit të Etikës. RTK1 për shkelje të nenit 6, paragrafi 1 të Kodit të Etikës, urdhërohet të transmetojë publikisht detajet dhe natyrën e shkeljes së Kodit të Etikës dhe t’i ofrojë palës ankuese të drejtën e reagimit në hapësirën e njëjtë sikur kur është transmetuar lajmi i parë.
• TV Most – ndryshim i pronësisë pa miratim të KPM-së, sanksionohet me gjobë 1 mijë euro;
• Operatori i Shpërndarjes ISP Broadcast – ritransmetim i kanaleve pa marrëveshje valide, sanksionohet me gjobë 5 mijë euro;
• TE 7 – ankesë për shkelje të Rregullores KPM-2020/01 dhe Rregullores KPM-2023/03, obligohet TE7 të ia ofrojë sinjalin palës ankuese, ashtu siç përcakton legjislacioni i KPM-së;
• Klan Kosova – ankesë për shkelje të Rregullores KPM-2020/01 dhe Rregullores KPM-2023/03, obligohet Klan Kosova të ia ofrojë sinjalin palës ankuese, ashtu siç përcakton legjislacioni i KPM-së;
• Kanal 10 – ankesë për shkelje të Rregullores KPM-2020/01 dhe Rregullores KPM-2023/03, obligohet Kanal 10 të ia ofrojë sinjalin palës ankuese, ashtu siç përcakton legjislacioni i KPM-së.
Lidhur me rastet e licencimit, Komisioni ka miratuar kërkesën për ndryshim të pronësisë për Radio Victora, ndryshim të pronësisë dhe skemës programore të Radio Urban FM – Prishtinë, ndërprerjen dhe shpalljen e pavlefshme të licencës së Radio Urban FM Prizren, ripërtëritje të licencës së TV Plus, ndryshim të pronësisë, emrit dhe skemës programore të Dasma TV dhe ndërprerjen dhe shpalljen e pavlefshme të licencës së Radio Kolasin.
Në pikat e tjera të rendit të ditës, Komisioni ka miratuar propozimin për inicimin e procedurës së amandamentimit të Rregullores KPM-2017/03 për tarifën vjetore për licencë. Gjithashtu Komisioni ka trajtuar kërkesën e Radio Star për ndryshim të kategorisë së mbulueshmërisë.
Në pikën e fundit Komisioni ka shqyrtuar propozimin për caktimin respektivisht ndërrimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, bazuar në obligimet ligjore që dalin nga Ligji NR.08/L-197 Për Zyrtarët Publik, Kapitulli III, Neni 35. Pas shqyrtimit të propozimit, Komisioni ka caktuar Drejtorin e Departamentit Ligjor z.Niman Racaj, Ushtrues Detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të KPM-së.