Të licencuarit
3721 - Lajmi_i_plot | KPM

Njoftim nga mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave

07 October 2024

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 4 tetor 2024, në udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Jeton Mehmeti ka mbajtur mbledhjen e dhjetë të rregullt për këtë vit. Në këtë mbledhje Komisioni ka trajtuar disa pika të rendit të ditës si: Themelimi i grupit punues për ndryshim-plotësimin e Rregullores KPM-2017/03 për tarifën vjetore për licencë, dymbëdhjetë raste të licencimit dhe një propozim shtesë që është shtuar në agjendë në pikën të ndryshme e që ka të bëjë me pronësinë e televizionit Klan Kosova. Në agjendë ka qenë edhe rishpallja e konkursit për Kryeshef Ekzekutiv, hap ky të cilin Kryetari Mehmeti e arsyetoi si të domosdoshëm pasi se është Rekomandimi i drejtpërdrejtë i Zyrës Kombëtare të Auditimit, i cili kërkon nga KPM që “në një kohë sa më të arsyeshme dhe të afërt të zhvillojë procedurat konform kërkesave ligjore për plotësimin e pozitave udhëheqëse që mbahen me ushtrues detyre”. Megjithatë kjo pikë është hequr nga agjenda me tri vota për, një kundër dhe një abstenim.  

Pas miratimit të rendit të ditës, procesverbalit të mbledhjes së fundit dhe raportimit të Kryeshefit Ekzekutiv, Komisioni ka miratuar propozimin për themelimin e Grupit Punues për ndryshim-plotësimin e Rregullores KPM-2017/03  për tarifën vjetore për licencë.

Lidhur me rastet e licencimit, Komisioni ka  miratuar kërkesën për ripërtëritje të licencës së kanaleve të televizionit publik RTK2, RTK3, RTK4, Radio Kosova1 e Radio Kosova2 dhe kërkesat për ripërtëritje të licencës së Radio Klan Kosova FM - Prishtinë, Radio Klan Kosova FM –Deçan. Komisioni ka miratuar edhe kërkesën e Radio Star për ndryshim të lokacionit të transmetuesit, ndërsa nuk janë miratuar rekomandimet për ndërprerje të licencës për Radio 24 dhe Radio Okarina. Kërkesa e BB Herc për ndryshim të pronësisë dhe ripërtëritje të licencës dhe rekomandimi për ndërprerje të licencës për Radio Dardania, janë shtyrë për vendimmarrje në mbledhjen e radhës.

Në fund të mbledhjes, tek “të ndryshme”, anëtarja e KPM-së znj.Luljeta Aliu ka thënë se Komisioni i Pavarur i Mediave ka pranuar dokumentacion me informata të reja nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), e të cilat informata nuk i ka poseduar më herët, dhe ka kërkuar që ato të dërgohen në polici dhe tek njësiti i inteligjencës financiare. Ajo ka kërkuar që të bëhet edhe një përshkrim në lidhje me rastin e Klan Kosovës, e cila ka pasur edhe katër ndryshime të tjera të pronësisë.