19 November 2024
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) me 19 nëntor 2024, organizoi dëgjim publik për dy draft rregullore: Draft Rregulloren për mbrojtjen e përdoruesve në fushën e ofrimit të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuele dhe Draft Rregulloren për procedurën e trajtimit të ankesave në KPM
Në fjalën e hapjes së këtij dëgjimi publik, Kryetari i KPM-së z.Jeton Mehmeti tha se incimi i këtyre dy rregulloreve nga ana e KPM-së ka për qëllim avancimin e kornizës së akteve nënligjore në mbrojtjen e interesit publik, mbrojtjen e përdoruesve, promovimin e konkurrencës së drejtë, sigurimin e cilësisë së lartë të shërbimeve të ofruara dhe të garantimit të qasjes së duhur në shërbimet mediale audio dhe audiovizuele, avancimin e procedurës së ankesave në KPM dhe transparencës së trajtimit të tyre, si për qytetarët ashtu edhe për të licencuarit. Këto dy draft rregullore që po diskutohen janë në vazhdën e aktiviteteve intensive që KPM ka pas gjatë këtij viti, duke punuar në përfundimin e tri rregulloreve.
Draft rregulloret janë akte nënligjor të reja dhe kanë për qëllim vendosjen e standardeve më të larta lidhur me mbrojtjen e përdoruesve dhe procedurën e trajtimit të ankesave në KPM.
Përfaqësuesit e KPM-së prezantuan edhe një herë draftet si dhe komentet publike që KPM ka pranuar gjatë periudhës 30 ditore të konsultimit publik. Draft rregulloret kanë qenë në konsultim publik gjatë muajit shtator, ftesa për komente publike ka qenë e hapur prej 2 shtator 2024 deri me 2 tetor 2024 dhe gjatë gjithë kësaj kohe palët e interesit e kanë pasur mundësinë t’i paraqesin me shkrim komentet e tyre.
Pas përfundimit të periudhës së konsultimit publik 30 ditor, KPM i ka shqyrtuar të gjitha komentet dhe ato që kanë qenë të argumentuara në bazë ligjore, i ka vendosur në tekstet e draft rregulloreve. Ndërsa sot palët në këtë dëgjim publik munden që edhe një herë të ofrojnë komentet e tyre para se rregulloret të miratohen, sipas planifikimit të KPM-së.
Gjatë diskutimit pjesëmarrësit patën mundësinë që të paraqesin qëndrimet, propozimet dhe argumentet e tyre si dhe të japin komentet dhe sugjerime e tyre në pika të caktuara.
Në fund të këtij dëgjimi publik, KPM njoftoi palët e pranishme që në vazhdimin e punës në draftet e rregulloreve, KPM do t’i marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe propozimet e komentet e bazuara dhe të argumentuara ligjërisht, që janë paraqitur gjatë dëgjimit publik.