Të licencuarit
3734 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM miraton dy rregullore të reja

27 November 2024

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 26 nëntor 2024, në udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Jeton Mehmeti ka mbajtur mbledhjen e njëmbëdhjetë të rregullt. Në këtë mbledhje Komisioni ka trajtuar disa pika të rendit të ditës si: shqyrtimin për miratim të 2 rregulloreve të reja, shqyrtimin e 21 kërkesave për ndryshim të skemës programore, 1 kërkese për ndryshim të emrit të biznesit dhe një kërkesë për ripërtëritjen e licencës, shqyrtimin e propozimit për rishpalljen e konkursit për frekuenca të radios për Vitomiricë-Pejë, kërkesën e ARKEP për lirimin e brezit frekuencor 700 MHz dhe ka diskutuar lidhur me metodologjinë e matjes së tregut medial.

Në fjalën e hapjes së mbledhjes, Kryetari z.Mehmeti tha se këtë mbledhje po e mbajmë në objektin e ri të KPM-së, i cili është një investim i Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe do të jetë shtëpia permanente e KPM-së. Objekti ofron një standart më të lartë për punë, me shumë hapësirë dhe komoditet për stafin e KPM-së. Andaj, në emër të Komisionit falënderojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme, për përshpejtimin e kryerjes së punimeve si dhe personelit të KPM-së i uroj shumë suksese në ndërtesën e re. Inaugurimin zyrtar të ndërtesës së KPM-së synojmë ta bëjmë gjatë muajit dhjetor.

Gjithashtu sot bashkë me objektin e ri, KPM miraton dy rregullore te reja, të cilat janë pjesë e objektivave të KPM-së për këtë vit. Iniciativa për hartimin e këtyre dy rregulloreve ka ardhur nga KPM, hartimi i tyre është bërë nga ekspertë të jashtëm ligjor. Andaj, falënderojmë Komisionin Evropian që përmes partnerit të tyre Grupi për Studime Juridike dhe Politike kanë përkrahur hartimin e Rregulloren për mbrojtjen e përdoruesve në fushën e ofrimit të shërbimeve audio dhe audiovizuele, si dhe OSBE-në që përmes partnerit të tyre Instituti i Kosovës për Drejtësi, kanë përkrahur hartimin e Rregullores për procedurën e trajtimit të ankesave në KPM.

Pas miratimit të rendit të ditës, procesverbalit të mbledhjes së fundit dhe raportimit të Kryeshefit Ekzekutiv, Komisioni ka miratuar Rregulloren për mbrojtjen e përdoruesve në fushën e ofrimit të shërbimeve audio dhe audiovizuele dhe Rregulloren për procedurën e trajtimit të ankesave në KPM.

Rregullorja për mbrojtjen e përdoruesve në fushën e ofrimit të shërbimeve audio dhe audiovizuele, ofron informim më të qartë të qytetareve që blejnë pako televizive nga operatorët e shpërndarjes, mbron përdoruesit nga reklamat mashtruese, u ofron qytetarëve mundësinë e ndërprerjes së kontratës apo kthimit të mjeteve në rast se kushtet e kontratës shkelen njëanshëm.

Rregullorja për procedurën e trajtimit të ankesave në KPM, siguron qytetaret dhe subjektet e licencuara se ankesat e tyre do të trajtohen në një procedurë më të shpejtë por pa e kaluar afatin ligjor 45 ditor. Një regjistër i ankesave do të krijohet,  ku qytetaret mund ta shohin procesin deri ku ka mbërritur trajtimi i ankesës se tyre. Përfundimisht, KPM do ta ketë fjalën e fundit për secilën ankese nëse ajo do të hidhet si e pa bazë, do të aprovohet apo do të refuzohet.


Sipas agjendës, Komisioni ka shqyrtuar 23 raste të natyrës së licencimit. Komisioni ka miratuar kërkesat për ndryshim të skemës programore për: Glam Radio, Heki TV, Klan Kosova 2, Pro1, Radio Alba, Radio Campus, Radio Gorazdevac,  Radio Kiss, Radio KM, Radio Llapi, Radio Omega 3, Radio Prizreni, Radio Vala, TV Arta,  Radio Ylberi, Radio Vala Rinore, TV Dielli, TV Kiss, TV Koha Vision, TV Syri, UBTV dhe ndryshimin e emrit të biznesit DTV Media. Ndërsa kërkesa e Radio Okarina për ripërtëritjen e licencës, shtyhet për vendimmarrje për mbledhjen e radhës, për  plotësim dokumentacioni.

Pas shqyrtimit, Komisioni ka miratuar rekomandim lidhur me propozimin për rishpalljen e konkursit për frekuenca të radios në Vitomiricë-Pejë.

Gjithashtu Komisioni ka diskutuar për kërkesën e ARKEP për lirimin e brezit frekuencor 700 MHz. Komisioni vendosi që të organizojë një takim të përbashkët më ARKEP dhe subjektet e licencuara e që janë palë që ndërlidhen me çështjen e lirimit të brezit frekuencor 700.

Në fund të mbledhjes Komisioni ka diskutuar edhe për metodologjinë për matjen e tregut medial.