3049 - Lajmi_i_plot | KPM

NJOFTIM NGA MBLEDHJA E KOMISIONIT TË PAVARUR TË MEDIAVE

27 March 2019

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 21 mars 2019 nën udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Muja FERATI,  ka mbajtur  mbledhjen e tretë rregullt për vitin 2019.  Komisioni miratoi  agjendën e mbledhjes dhe procesverbalin nga mbledhja e fundit.

Në vazhdim të mbledhjes  KPM ka  shqyrtuar Raportin Vjetor  për periudhën kohore 1 janar 2018 - 31 dhjetor 2018 për punën e KPM-së. Pas shqyrtimit Komisioni miratoi raportin për t’u përcjell në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas procedurës duke u bazuar në obligimin ligjor që del nga neni 3 paragrafi 2.8 të Ligjit Nr. 04/L-44 për KPM-në.

Në vazhdën e punës së KPM me procesin e dhënies së licencave për radio në 7 komuna të Republikës së Kosovës, në këtë mbledhje është miratuar përbërja së Komisionit Vlerësues, i cili do të merret me vlerësimin  e aplikacioneve për licenca të reja për radio sipas konkursit të shpallur më 15 shkurt 2019. Bazuar në kërkesat e palëve të interesuara dhe me qëllim të krijimit të një konkurrence të mirëfilltë në të gjitha lokacionet për ku janë shpallur frekuenca të lira për radio, Komisioni mori vendim për zgjatjen e afatit të konkursit publik për radio frekuenca edhe për 15 ditë.

Ndërsa lidhur me procedimin e mëtejmë të punës në procesin e digjitalizimit, është  miratuar formimi i një  Komisioni Teknik me përbërje nga KPM, RTK, KTV, TV21, AMPEK (mediat regjionale) dhe KTTN. 

Komisioni shqyrtoi disa raste  ligjore që kishin të bëjnë shkelje të legjislacionit të KPM-së respektivisht shkeljen e Rregullores për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuale KPM-2016/01. Lidhur me shkeljen e kësaj rregullore u shqyrtuan dy raste: 

1. IPKO dhe  2. Kujtesa –  Gjatë monitorimit të operatorëve të shpërndarjes IPKO dhe Kujtesa është gjetur se këta operator  mundëson krijimin e grupimit të programeve, por jo edhe ri-renditjen e kanaleve në listën kryesore të platformës së tyre për të ardhur në pajtueshmëri me Rregulloren KPM-2016/01. Subjektet e lartpërmendura pretendojnë se e mundëson ri-renditjen e kanaleve sipas kërkesës së klientit, duke ua mundësuar atyre krijimin e një liste të re favorite, si grupim të programeve. KPM-së ka gjetur se edhe përkundër Njoftimit për shkelje, shkresave, takimit të mbajtur dhe Vendimit të Komisionit të KPM-së, subjektet e lartpërmendura kanë vazhduar të veprojë në kundërshtim me nenin 16, paragrafi 3, të Rregullores KPM-2016/01, duke mos e mundësuar ri-renditjen e kanaleve. Pas shqyrtimit të këtyre rasteve Komisioni vendosi të urdhërojë operatorët e shpërndarjes IPKO dhe Kujtesa që në afat prej gjashtë (6) muajsh nga plotfuqishmëria e këtij vendimi të mundësojë ri-renditjen e kanaleve në listën kryesore të platformës së tyre, siç e përcakton neni 16, paragrafi 3, i Rregullores KPM-2016/01. Ndërsa për shkeljen e deritanishme të legjislacionit, të sanksionojë subjektet e lartpërmendura me gjobë në vlerën prej pesëmijë (5,000) euro, në pajtim me nenin 30, paragrafi 1.3 të Ligjit të KPM-së, për shkelje të nenit 16, paragrafi 3, të Rregullores KPM-2016/01.

Ankesa e IPKO kundër  ARTMOTION – KPM  me datë 5 shtator 2018 ka pranuar një ankesë të parashtruar nga operatori i shpërndarjes IPKO ndaj operatorit të shpërndarjes ARTMOTION, me pretendimin se është duke ritransmetuar ngjarje sportive të futbollit të Premier Ligës Angleze dhe  Ligës Franceze. Pas shqyrtimit të rastit KPM nuk ka gjetur shkelje nga  operatori i shpërndarjes ARTMOTION  ndaj së cilës është parashtruar ankesa, k është gjetur në shkelje të Rregullores KPM-2016/01, rrjedhimisht është në pajtueshmëri me  Rregulloren KPM-2016/01, prandaj ankesa  refuzohet si e pabazuar.

TV Prizreni – gjatë monitorimit KPM ka gjetur se TV Prizreni ka transmetuar përmbajtje programore pa të drejtë autoriale, duke vepruar në kundërshtim me Rregulloren KPM-2013/02 për të Drejtën e Autorit në Shërbimet Mediale Audiovizuale duke kryer shkelje të nenit 4, paragrafi 1, të Rregullores KPM-2013/02. Pas shqyrtimit të rastit Komisioni vendosi që të obligojë TV Prizreni që ta ndërpresë menjëherë transmetimin e përmbajtjeve për të cilat nuk posedon marrëveshje valide të të drejtave të autorit dhe të sigurohet se një gjë e tillë nuk do të përsëritet, siç e përcakton neni 5, paragrafi 2, i Rregullores KPM-2013/02. Ndërsa për shkeljen e deritanishme të sanksionojë TV Prizreni me Vërejtje në pajtim me nenin 30, paragrafi 1, të Ligjit të KPM-së, për shkelje të nenit 4, paragrafi 1, të Rregullores KPM-2013/02 për të Drejtën e Autorit në Shërbimet Mediale Audiovizuale.

Rastet e mossjelljes së Raportit Vjetor financiar nga Ofruesit të Shërbimit Medial Audiovizual, shkelja e nenit 28 të Ligjit Nr. 04/L-44 të Komisionit të Pavarur të Mediave: Radio Kosova 1, Radio Kosova 2, Radio Antena, Radio 7, Radio Kent FM, Radio Urban FM, RTK 1, TV Prizreni, Radio Bambus, Radio Helix, Radio Kent FM 2, Radio Borzani, Radio Energji, Radio Kaçaniku, Radio Max, Radio Shqip FM, Radio Fëf City, Radio Victoria, Radio Zëri i Pozheranit, Radio Gjilani, TV Vali, Next Television, Kosova MTV, Tribuna Channel, TV Globi, ART, TV Kosova Channel, Olti TV, 1ST Channel, Turbo Channel, RTK 2, RTK 3 News, RTK 4 Art, TV Diaspora, A9 International TV, Click Channel, TVR, TV Dialog, Tele 1 dhe T 7.

Ofruesit e Shërbimit Medial Audiovizual të lartpërmendur kanë dështuar të veprojnë në pajtim me Ligjin e KPM-së, pasi që kanë dështuar të dorëzojnë raportin vjetor për vitin 2017, ashtu siç parashihet me nenin 28, paragrafi 1 dhe 2 të Ligjit të KPM-së. KPM duke u bazuar në faktet e lartpërmendura ka gjetur se Ofruesit e Shërbimit Medial Audiovizual të lartpërmendur kanë bërë shkelje të nenit 28, paragrafi 1 dhe 2 të Ligjit të KPM-së.  Pas shqyrtimit të këtyre rasteve Komisioni vendosi që t’i sanksionojë Ofruesit e Shërbimit Medial Audiovizual të lartpërmendur me Vërejtje, në pajtim me nenin 30, paragrafi 1 të Ligjit të KPM-së, për shkelje të nenit 28 të Ligjit të KPM-së.    Gjithashtu urdhërohen Ofruesit e Shërbimit Medial Audiovizual të lartpërmendur që në afat prej dhjetë (10) ditësh ta dorëzojnë raportin vjetor për vitin 2017, ashtu siç përcaktohet me nenin 28, paragrafi 1 dhe 2 të Ligjit të KPM-së.

Lidhur me shkeljen e Kodit te Etikes së KPM-së u shqyrtuan  këto raste: RTK1; KTV; TV21; Klan Kosova; Tribuna Channel dhe TE7.

KPM në bazë të monitorimit ka gjetur se të gjitha OSHMA-të e lartpërmendura gjatë raportimit të rastit të një të miture nga Drenasi, e cila dyshohet se është abuzuar nga një arsimtar, polic dhe mjek, e kanë ruajtur identitetin dhe privatësinë e të miturës, duke ia transmetuar vetëm inicialet si dhe duke ia mbuluar fytyrën dhe ndryshuar zërin. Po nga të gjeturat e monitorimit, sa i përket raportimit për personat e dyshuar për abuzim me të miturën, profesorin, policin dhe mjekun, rezulton si problematike zbulimi i identitetit të personave të dyshuar përfshi këtu zbulimin e emrit dhe mbiemrit dhe fytyrave. Pas shqyrtimit të rasteve Komisioni vendosi që palët përgjegjëse të sanksionohen me Vërejtje në pajtim me nenin 30, paragrafi 1, të Ligjit të KPM-së, për shkelje të nenit 7, paragrafi 2, të Kodit të Etikës KKPM-2016/03. Gjithashtu palët përgjegjëse obligohen që në të ardhmen t’i kushtojë kujdesin e duhur mbrojtjes së identitetit dhe integritetit të personave të dyshuar në mënyrë që të veprojë në pajtim me Kodin e Etikës KKPM-2016/03.

Gjithashtu në këtë mbledhje KPM ka trajtuar edhe disa kërkesa në rastet e licencimit:

· TVN Cable TV – Rekomandim për ndërprerje të licencës së operatorit të shpërndarjes;

·News TV – OSHMA i cili nuk ka parashtruar kërkesë për ripërtëritje të licencës

Pas shqyrtimit të këtyre rasteve, Komisioni i miratoi rekomandimin për ndërprerje të  licencës së OSHMA  përmes operatorëve të shpërndarjes,  si dhe kërkesën për  ndërprerje të licencës për Operatorin  të Shpërndarjes.

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE