Të licencuarit
3693 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM mbajti punëtori lidhur me mbrojtjen e fëmijëve në media

20 May 2024

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) me 16-17 maj 2024, në bashkëpunim me organizatën Terre des Hommes (TDH), ka mbajtur një punëtori të rëndësishme që synon të trajtojë çështjen e mbrojtjes së fëmijëve në media dhe përmbajtjet mediale në Kosovë. Ky event kishte për qëllim të diskutojë nivelin aktual të mbrojtjes së fëmijëve, të analizojë kornizën ligjore ekzistuese dhe të shqyrtojë mekanizmat mbrojtës dhe edukativë që janë në fuqi. Duke mbledhur së bashku përfaqësues nga institucione të ndryshme dhe akterë relevantë për të diskutuar lidhur me nivelin e mbrojtjes së fëmijëve në media dhe përmbajtjeve mediale në Kosovë, punëtoria ka arritur të ngrit bashkëpunimin ndër-institucional me qëllim të avancimit të një mjedisi mediatik më të sigurt për fëmijët.
Punëtoria përfshiu pjesëmarrës nga organizata të ndryshme si KPM, Avokati i Popullit, Terre des Hommes Kosovo (TDHK), Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), Radio Televizioni i Kosovës (RTK), Universiteti i Prishtinës (UP) dhe Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF). Kjo përbërje e larmishme garanton një qasje gjithëpërfshirëse ndaj sfidave dhe mundësive në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në media.
Gjatë punëtorisë u trajtuan tema kyçe si mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet mediale, raportimi i përgjegjshëm dhe etik, si dhe çështjet e privatësisë dhe mbrojtjes së identitetit të fëmijëve, dhe raportimi i mediave në mënyrën e duhur për rastet e dhunës në familje. Diskutimet janë përqendruar në mënyrën se si mediat mund të raportojnë për fëmijët pa shkelur të drejtat e tyre dhe si të sigurojnë që përmbajtjet e transmetuara të jenë të përshtatshme dhe të sigurta për audiencën e re.
Një aspekt i rëndësishëm i kësaj punëtorie ishte edhe roli i shoqërisë civile në mbrojtjen e fëmijëve. Organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile luajnë një rol thelbësor në monitorimin e përmbajtjeve mediale dhe në ndërgjegjësimin e publikut dhe institucioneve për rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve.
Punëtoria ka rezultuar me disa rekomandime bashkëpunimi që pritet të konkretizohen në vazhdim të vitit 2024.